Shqip · Read this page in English
Baptistët në Shqipëri · një histori e shkurtër
Më 1 maj 1999, ndërsa lufta e Kosovës digjej përtej kufirit, përfaqësuesit e katër kishave të vogla u mblodhën në Pallatin e Kulturës në Tiranë dhe themeluan Bashkimin Baptist të Shqipërisë. Akti i tyre i parë si bashkim nuk kishte të bënte me ndërtesa, statute apo anëtarësi. Ishte një rezolutë për kujdesin ndaj refugjatëve.
Kjo faqe tregon se si Shqipëria erdhi të ketë kisha baptiste, si duket sot misioni baptist në Shqipëri, dhe kush e mban këtë punë sot. Është shkruar për kishat baptiste britanike që po peshojnë një partneritet, për studentë e studiues, dhe për këdo që përpiqet të kuptojë kush po punon vërtet në Shqipëri. Ia vlen të tregohet si duhet, sepse ungjillorët shqiptarë kanë kontribuar në lulëzimin e kombit të tyre që para se Shqipëria të ishte shtet — dhe sepse shumica e asaj që shkruhet për ta në internet ose është dekada e vjetëruar, ose është shkruar nga njerëz që nuk kanë qenë kurrë këtu.
Ia vlen të thuhet që në fillim sa i vogël është i gjithë ky realitet. Federata Evropiane Baptiste e rendit Bashkimin Baptist të Shqipërisë me dhjetë kisha anëtare dhe rreth 250 anëtarë gjithsej — mesatarisht njëzet e pesë veta për kishë. Lexojeni pjesën tjetër të kësaj faqeje duke e mbajtur këtë parasysh.
“Tek Ura nuk ka të bëjë me të huaj që drejtojnë përgjithmonë. Ka të bëjë me udhëheqës vendas — të rinj që formësojnë të ardhmen e tyre.”
— Matilda Dule, Drejtuese EkipiPse ekziston kjo faqe. Ne punojmë çdo ditë në Tiranë dhe Durrës, dhe këto pyetje na bëhen shpesh — nga kisha që mendojnë për partneritet, nga studentë, nga njerëz që gjurmojnë historinë e familjes ose të misionit. Nuk jemi palë neutrale: Tek Ura është një nga organizatat e përshkruara nga fundi i kësaj faqeje. Gjithçka para asaj pjese është histori që nuk i përket askujt, dhe jemi përpjekur ta shkruajmë ashtu.
Historia deri këtu
Një kronologji
- 1816 — nxitja e parë për një Bibël shqipRobert Pinkerton i Shoqërisë Biblike Britanike dhe e Huaj argumenton për përkthimin e Shkrimit në shqip. Në atë kohë nuk ekziston asnjë kishë protestante shqiptare.
- 1827 — Dhiata e Re e parë në shqipBotohet përkthimi i Vangjel Meksit, i përfunduar në 1821. Këtu fillon e gjithë historia: bindja se shqiptarët duhet ta dëgjojnë ungjillin në shqip.
- Vitet 1860–80 — Kostandin KristoforidhiPërkthyesi i madh i Shoqërisë Biblike e sjell Shkrimin në të dy dialektet. Identiteti i tij fetar debatohet nga historianët; ajo që nuk diskutohet është se përkthimet e tij formësuan vetë shqipen e shkruar.
- 1883–1894 — Gjerasim Qiriazi, “predikuesi i parë i Shqipërisë”Vendas i Manastirit — sot Bitola, në Maqedoninë e Veriut — Qiriazi i bashkohet Shoqërisë Biblike në 1883. Rrëmbimi i tij nga kusarët në 1884 dhe qetësia e tij gjatë gjashtë muajve robëri e bëjnë figurë kombëtare. Nga rreth viti 1890 drejton misionin ungjillor në Korçë. Vdes nga tuberkulozi në 1894, në moshën 35-vjeçare.
- Tetor 1891 — shkolla e parë shqipe për vajzaGjerasimi dhe motra e tij Sevasti Qiriazi e hapin në Korçë. Kjo është ngjarja për të cilën ungjillorët shqiptarë nderohen më shumë në kujtesën kombëtare, dhe motrat Qiriazi mbeten figura kombëtare. Besimi dhe lulëzimi shqiptar, duke udhëtuar bashkë që në fillim.
- 14 nëntor 1892 — Vëllazëria UngjilloreThemeluar nga Qiriazi dhe shokët e tij, mes tyre Petro Nini Luarasi, me një qëllim të trefishtë: përhapjen e ungjillit në Shqipëri, botimin e literaturës shqipe, hapjen e shkollave shqipe. VUSH-i, organi kombëtar ungjillor i sotëm, e daton veten nga kjo ditë.
- 12 shkurt 1905 — një prift i vrarë për gjuhën amtarePapa Kristo Negovani, prift ortodoks që kremton liturgjinë në shqip dhe boton tekste fetare shqip, vritet bashkë me të vëllanë dhe tre të tjerë. Bindja se shqiptarët duhet të adhurojnë në gjuhën e tyre nuk ishte kurrë vetëm ungjillore, dhe kurrë pa kosto.
- 14–22 nëntor 1908 — Kongresi i ManastiritDelegatët mblidhen për të standardizuar alfabetin shqip që përdoret ende sot, i kremtuar çdo 22 nëntor si Dita e Alfabetit. Mes tyre janë Gjergj Qiriazi — vëllai i Gjerasimit, i cili mori përsipër shkollën e vajzave në Korçë pas vdekjes së të vëllait — dhe motra e tyre Parashqevi Qiriazi, e vetmja delegate grua, nderuar nga UNESCO si një “yll i mëngjesit” i emancipimit të gruas. Komisioni i alfabetit, me njëmbëdhjetë anëtarë, ishte i balancuar sipas besimeve — tre katolikë, dy ortodoksë, katër myslivmanë e bektashinj, dhe dy protestantë: Gjergj Qiriazi dhe Grigor Cilka. Dy vende nga njëmbëdhjetë, për një bashësi që numërohej me qindra. Ungjillorët ishin në atë sallë kur Shqipëria vendosi alfabetin e vet.
- 1932 — nis puna baptistePuna baptiste në Shqipëri datohet tradicionalisht në 1932, në Korçë, sipas Federatës Evropiane Baptiste. Asnjë themelues nuk përmendet në dokumentet e mbetura. Është e vogël, dhe nuk zgjat shumë.
- 1944–1990 — shteti ateistShqipëria kalon nën sundimin komunist të Enver Hoxhës. Në 1967 Hoxha e shpall vendin shtetin e parë ateist në botë dhe mbyll çdo vend adhurimi — mbi 2000 kisha, xhami e manastire — me ndalimin e shkruar në kushtetutën e 1976-ës. Klerikë burgosen e ekzekutohen, dhe mbajtja e një Bible është vepër penale. Në fund, mendohet se në të gjithë vendin mbijetuan më pak se njëzet besimtarë ungjillorë. Ky është fakti më i rëndësishëm i historiës së kishës shqiptare, dhe ai që anashkalohet më shpesh: nuk ka vijë institucionale të pandërprerë. Por ka një vijë njerëzore: udhëheqja e Vëllazërisë Ungjillore kishte kaluar nga Qiriazi te Grigor Cilka, dhe pastaj te Koçi Treska, i cili jetoi deri në 1991 — jeta e një njeriu të vetëm që shtrihet nga Rilindja Kombëtare deri në vitin kur u hapën dyert. Ajo që ekziston sot u rindërtua thuajse nga hiçi, brenda kujtesës së të gjallëve.
- 1990–91 — hapen dyertPraktika fetare dekriminalizohet në 1990, me shërbesat e para publike atë dimër. Në 1991 Projekti Shqiptar i Inkurajimit, një konsorcium agjencish misioni, hyn në vend, dhe pason një dekadë mbjelljeje kishash.
- 1991 — një pyetje para një planiMe kërkesë të Federatës Evropiane Baptiste, misionari kanadez i dalë në pension John Keith dhe e shoqja Virginia vijnë për të parë nëse duhet të ketë fare punë baptiste në Shqipëri. Tetë vjet më vonë ai është i ftuar në themelimin e bashkimit.
- 1 maj 1999 — Bashkimi Baptist i ShqipërisëThemeluar në Pallatin e Kulturës në Tiranë, në mes të luftës së Kosovës, nga katër kisha — Kisha Baptiste Liria dhe Kisha Baptiste Udha e Shpresës në Tiranë, kisha baptiste në Bregun e Lumit, dhe Kisha Baptiste Lajmi i Mirë në Lezhë. Rezoluta e saj e parë ndonjëherë i drejtohet krizës së refugjatëve. Adnan Pula zgjidhet president dhe Bekim Beka sekretar i përgjithshëm, me Ardian Mazrekun, Fation Prengën dhe Flutura Jocën në komitetin ekzekutiv. Mes të ftuarve ndërkombëtarë ishin baptistë britanikë. (Rrëfime të botuara japin ndonjëherë vitin 2003 ose 2004. Të dyja i referohen njohjes ligjore, jo themelimit: në 1999 Shqipëria nuk kishte ende ligj për shoqatat, ndaj bashkimi nuk mund të regjistrohej në atë kohë, dhe u njoh si shoqatë me vendim gjykate më 14 janar 2004. Vetë bashkimi e daton themelimin e tij më 1 maj 1999.)
- Sa i vogël është i vogël?Regjistri i anëtarëve i Federatës Evropiane Baptiste e rendit Bashkimin Baptist të Shqipërisë me dhjetë kisha anëtare dhe rreth 250 anëtarë — mesatarisht njëzet e pesë veta për kishë. I gjithë organi kombëtar baptist i një vendi me 2,4 milionë banorë është më i vogël se një kishë e vetme baptiste britanike e madhësisë së mesme. Gjithçka në këtë faqe — klinikat, klubet e detyrave, mësimi i gjuhës për refugjatët, pastorët në formim — mbahet nga një bashkësi e asaj madhësie. Ky është fakti që ia vlen më shumë të mbahet mend. Për krahasim: vetëm Komuniteti i Besimit Tek Ura mbledh sot mbi 130 veta për adhurim çdo javë, në dhjetë qeliza në Tiranë e Durrës.
- 22 nëntor 2010 — njohja shtetëroreVUSH-i njihet si bashkësia e pestë fetare zyrtare e Shqipërisë, krahas asaj myslimane, ortodokse, katolike dhe bektashiane.
- 2016 — dërgimi i Tek UrësPastorë që përfaqësojnë të gjitha kishat e Bashkimit Baptist të Shqipërisë e veçojnë për shërbesë Qendrën Tek Ura në Tiranë — një punë e re komunitare e themeluar nga shërbëtorët baptistë britanikë Dan dhe Annie Dupree, e veçuar nga duar shqiptare.
- 2 tetor 2019 — një pastor shqiptar tek uraJuri Arapi vendoset në detyrë si pastori i parë shqiptar baptist i Komunitetit të Besimit Tek Ura. I pyetur nëse do të nënshtrohej si shërbëtor i Perëndisë dhe si shërbenjës në Kishën e Perëndisë, ai përgjigjet: “Po, sepse Perëndia më ka thirrur.” Tri vjet nga dërgimi te udhëheqja baritore shqiptare: kalimi nuk ishte përgjigje ndaj largimit të askujt. Ishte plani. Ai mbetet pastori i saj edhe sot.
- 26 nëntor 2019 — tërmetiNjë tërmet me magnitudë 6.4 vret 51 veta, njëzet e pesë prej tyre në Durrës, dhe shkatërron rreth 11.000 ndërtesa. VUSH-i ka njerëz në terren të nesërmen në mëngjes dhe drejton qendra ndihme në Durrës, Shijak, Vorë, Thumanë dhe Laç.
- 1994 dhe 2022 — Bibla shqipShoqëria Biblike Shqiptare përfundon Biblën e parë të plotë shqip të epokës së re në 1994. Në 2022 Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale boton Së bashku — përkthyer nga hebraishtja dhe greqishtja si punë e përbashkët e të krishterëve katolikë, ortodoksë dhe ungjillorë të Shqipërisë. Argumenti që Robert Pinkerton bëri në 1816 është zgjidhur — dhe zgjidhur së bashku.
- SotVUSH-i është organi ombrellë për rreth 160–200 kisha nga traditat baptiste, të vëllezërve, pentekostale dhe jo-denominacionale, në një vend me rreth 2,4 milionë banorë. Ungjillorët mbeten shumë nën një për qind të popullsisë — censi i vitit 2023 regjistron 0,40%, ndonëse rreth një e treta e vendit nuk deklaroi fare një bashkësi fetare — dhe mbajnë një rol publik krejt jashtë çdo proporcioni me numrin e tyre.
Ajo kosto nuk ishte abstrakte
Në vitin 1970 një nënë i kërkoi priftit katolik Shtjefën Kurti të pagëzonte fëmijën e saj. Ai e bëri fshehurazi. U pushkatua më 20 tetor 1971, dhe u lumturua në 2016 si një nga tridhjetë e tetë dëshmorët e Shqipërisë të epokës komuniste. Pagëzimi — praktika nga e cila baptistët britanikë marrin emrin — ishte, brenda kujtesës së të gjallëve, vepër që dënohej me vdekje në këtë vend. Ia vlen ta mbani parasysh kur lexoni për pagëzimet që ndodhin sot në kishat shqiptare.
Këtu tradita baptiste ka diçka të vetën në lojë. Baptistët pagëzojnë mbi rrëfimin personal të besimit, jo në lindje, dhe i qeverisin kishat e tyre në nivel vendor, jo nga lart. Bindja e tyre më e vjetër dhe më e kushtueshme është se besimi nuk mund të imponohet: se asnjë shtet nuk ka autoritet mbi ndërgjegjen e njeriut, dhe se një kishë që ka nevojë për lejen e qeverisë për të ekzistuar nuk është e lirë. Shqipëria është vendi ku rasti i kundërt u çua deri në fund. Prandaj një bashkim prej dhjetë kishash të vogla, dhe liria e thjeshtë për t’u mbledhur fare, vlen më shumë se sa tregojnë shifrat.
“Si adoleshent në vitet ’70 dëgjova Enver Hoxhën të deklaronte se drejtonte shtetin e parë ateist — dhe pyesja veten se çfarë mendonte Perëndia për këtë. Sot është pjesë e përgjigjes. Perëndia ka qenë duke punuar gjithë kohën.”
— Paul Martin, Kisha Baptiste e Tonbridge-it
Në terren
Misioni baptist në Shqipëri: çfarë po ndodh vërtet tani
Kishat ungjillore shqiptare janë rritur përgjithësisht përmes punës komunitare, jo vetëm përmes predikimit. Klube detyrash, kurse anglishteje, shërbime për aftësinë e kufizuar dhe rehabilitimin, rrugë nga varfëria drejt arsimit dhe punësimit, punë krah bashkësive rome dhe egjiptiane, mbështetje për refugjatët, punë kundër trafikimit, kampe verore. Në një vend ku kisha duhej ta rifitonte vendin e saj publik nga zeroja, besueshmëria është ndërtuar me shërbim — bashkësi që bëjnë gëjra të jashtëzakonshme me shumë pak, në të njëjtën traditë me ungjillorët që hapën shkollën e parë shqipe për vajza.
“Njerëzit i përkisnin para se të besonin. Menjëherë Tek Ura u bë familja ime e dytë.”
— Matilda Dule, Drejtuese EkipiNga kjo rrjedhin tri gëjra që vëzhguesit e jashtëm rregullisht i marrin gabim.
Puna sot udhëhiqet dërrmueshëm nga shqiptarë
Epoka e misionarëve të huaj që drejtonin kishat shqiptare ka kaluar kryesisht — çka nuk do të thotë aspak se dërgimi ka pushuar, ose se duhet të pushojë. Aty ku partneriteti ndërkombëtar vazhdon, ai duket si financim, trajnim, miqësi dhe mësim i ndërsjellë, jo si drejtim: mision nga kudo për kudo, me vizitorë që vijnë të mësojnë para se të guxojnë të mësojnë të tjerët. Kisha shqiptare, që doli nga një brez ateizmi të detyruar me besimin e paprekur, ka të paktën po aq për t’i dhënë kishës vizitore sa ç’ka për të marrë prej saj.
Nevoja që njerëzit të vijnë nuk është zhdukur — ka ndryshuar
Popullsia shqiptare 15–29 vjeç ra me 4,3% brenda një viti të vetëm deri në janar 2025 — rënia më e mprehtë e këtij lloji kudo në Evropë — dhe kishat e ndiejnë atë humbje po aq fort sa gjithkush: kisha anembanë vendit trajnojnë udhëheqës, muzikantë adhurimi dhe punonjës rinie, dhe pastaj i shohin të marrin avionin për në Gjermani, Itali e Britani. Një kishë mund të udhëhiqet nga shqiptarë dhe prapë t’i mungojnë njerëzit. Ky është konteksti në të cilin Tek Ura dhe At the Bridge mbeten të hapura për të pritur njerëz të dërguar nga Britania — jo për të zëvendësuar shqiptarët, por për të qëndruar krah një kishe që po humbet të vetët, për të forcuar duart e atyre që po qëndrojnë, dhe për të ndihmuar që t’ia vlejë për një të ri shqiptar të ndërtojë një jetë dhe një besim në shtëpi. Eja për të fuqizuar, jo për të zëvendësuar. Programi Immersive i At the Bridge ekziston pikërisht për këtë: ekipe afatshkurtra krahas praktikave gjashtë- dhe dymbëdhjetëmujore, pritur nga një ekip i udhëhequr nga shqiptarë, ku vizitorët pritet të vijnë së pari si nxënës.
Harta e përfshirjes ndërkombëtare ka ndryshuar që nga 2020
Disa agjenci misioni perëndimore me histori të gjatë i kanë reduktuar ose ndërprerë programet e tyre shqiptare, dhe përshkrimet e botuara për “kush punon në Shqipëri” janë shpesh vite të vjetëruara.
Historia e vetë Tek Urës është një shembull i qartë. Puna u themelua në 2016 nga Dan dhe Annie Dupree, atherë punonjës misioni me BMS World Mission, dhe u rrit krah Bashkimit Baptist të Shqipërisë. Ai partneritet agjencie, dhe financimi që lidhej me të, përfundoi në fund të dhjetorit 2023. Që atherë puna është mbajtur nga ekipi i saj shqiptar, nga mbledhja e vet e fondeve, dhe nga kisha baptiste britanike që japin drejtpërdrejt e jo përmes një agjencie.
Ia vlen të thuhet hapur, sepse ky kalim keqlexohet shpesh si fundi i përfshirjes baptiste britanike në Shqipëri. Nuk ishte. Ajo që ndryshoi ishte struktura — nga mision i drejtuar nga agjencia në partneritet të drejtpërdrejtë kishë-me-kishë, me punën e përditshme në duar shqiptare.
Ka edhe një fill tjetër që ia vlen të përmendet. Akti i parë i Bashkimit Baptist të Shqipërisë, në maj 1999, ishte një rezolutë për kujdesin ndaj refugjatëve. Në vitin e fundit të raportuar, Tek Ura mbështeti 32 familje refugjatësh përmes mësimit të gjuhës shqipe dhe punoi kundër trafikimit në dy qytete. Ky shqetësim nuk është i importuar; ka qenë ADN-ja baptiste shqiptare që nga dita e parë.
“… lutet që Perëndia i Paqes, i cili në Jezu Krishtin ka ndarë vuajtjen njerëzore deri në përjetimin e vdekjes, në mëshirën e Tij t’i ngushëllojë dhe t’u dalë në ndihmë nevojave themelore të të gjithë viktimave të kësaj lufte, cilado qoftë prejardhja e tyre etnike.”
— Bashkimi Baptist i Shqipërisë, rezoluta e parë, 1 maj 1999Kush është këtu
Kishat baptiste dhe organizatat e misionit në Shqipëri sot
Një listë jo shteruese. Nëse organizata juaj duhet të jetë këtu, ose të dhënat janë të gabuara, ju lutemi na tregoni: info@tekura.org
Bashkimi Baptist i Shqipërisë
Organi kombëtar baptist, themeluar më 1 maj 1999 në Tiranë, anëtar i Federatës Evropiane Baptiste, e cila e rendit me dhjetë kisha anëtare dhe rreth 250 anëtarë.
Vëllazëria Ungjillore (VUSH)
Organi kombëtar ombrellë i kishave ungjillore, që daton nga 1892 dhe i njohur si bashkësia e pestë fetare zyrtare e Shqipërisë në 2010.
Qendra Tek Ura
Qendra komunitare, kishë dhe pesë programe në Tiranë e Durrës — shih më poshtë.
Rënjë baptiste, udhëheqje shqiptare
Tek Ura
Qendra Tek Ura u themelua nga Daniel (Dan) dhe Anastasia (Annie) Dupree dhe u regjistrua si organizatë jofitimprurëse shqiptare në 2016. Nuk u vetëcaktua: më 10 mars 2016 pastorët e Bashkimit Baptist të Shqipërisë erdhën në qendrën e Tek Urës në Kafja e Rremes dhe e veçuan punën për shërbesë, me baptistë britanikë mes të mbledhurve — Rev Andrew Jones i Kishës Baptiste Avenue në Londër, i cili sot shërben si anëtar i bordit të Tek Urës, dhe Mary McLachlan e Kishës Baptiste Forest Row — krahas të krishterëve të tjerë britanikë e shqiptarë.
Kishat që e dërguan Tek Urën ishin vetë kishat e bashkimit: Kisha Liria në Tiranë, Kisha Lajmi i Mirë në Lezhë, Drita e Botës në Shkozë, Kisha Ungjillore Baptiste në Bathore, Kisha Udhë Shpëtimit në Laprakë, Living Water Church në Fushë-Krujë, dhe Kisha Baptiste në Vlorë. Dy prej tyre kishin themeluar vetë bashkimin shtatëmbëdhjetë vjet më parë: Kisha Liria është Kisha Baptiste Liria e atij kuvendi të parë, dhe Kisha Lajmi i Mirë është Kisha Baptiste Lajmi i Mirë e Lezhës.
Udhëheqja shqiptare u ndërtua në themele, jo u shtua më vonë. Mondi Palucaj, President i Bashkimit Baptist të Shqipërisë, nuk po kryesonte vetëm atë ditë: ai u dërgua bashkë me Dupree-t dhe Gregory-t, një nga ata që dërgoheshin e jo vetëm një nga ata që dërgonin. Ai u bë presidenti i parë i Tek Urës (2016–2018), duke shërbyer si anëtar i bordit fillestar me punonjësit britanikë të misionit Suzanne Gregory (2016–2018) dhe Mat Gregory (2016–2020) — ndërsa Dupree-t janë prania e vazhdueshme nga ai bord i parë e deri sot. Që në ditën e parë presidenca e organizatës ishte shqiptare, e mbajtur nga vetë udhëheqësi i bashkimit kombëtar.
Në 1999, baptistët britanikë ishin në sallë kur baptistët shqiptarë organizuan bashkimin e tyre. Në 2016, pastorët baptistë shqiptarë e udhëhiqnin sallën kur një punë baptiste britanike u dërgua mes tyre. Bekimi ka rrjedhur në të dy drejtimet që nga fillimi.
Tek Ura drejton qendra komunitare në Tiranë dhe Durrës. Lidhja baptiste është e drejtpërdrejtë dhe e sotme, jo historike. Puna drejtohet nga Dan Dupree, shërbenjës i akredituar i Bashkimit Baptist të Britanisë së Madhe, krahas Annie Dupree, e cila po formohet për akreditim si shërbenjëse me Central Baptist Association. Të dy janë pionierë baptistë brenda CBA-së, e cila mbështet rolin e tyre hibrid mes Vale Community Church në Bedfordshire dhe Tek Urës në Shqipëri — një jetë e jetuar mes dy vendeve.
Mbi tridhjetë kisha baptiste anembanë Britanisë e mbështesin sot punën, përmes Këshillit të Mbështetësve të Tek Urës, që shtrihet nga bregdeti jugor deri në Skoci. Organizata motër britanike, At the Bridge — nisur në 2024 dhe e regjistruar në Charity Commission më 2 korrik 2026 (numri i organizatës 1218711) — ekziston për lehtësimin e varfërisë mes shqiptarëve, duke dhënë grante për punën në Shqipëri dhe ndihmë materiale për njerëz të prekur nga trafikimi mes Shqipërisë dhe Britanisë.
Kjo është një vijë që shkon shumë prapa — përmes themelimit të bashkimit në 1999, baptistëve të Korçës të vitit 1932, kongresit të alfabetit të 1908-ës, dhe një klase vajzash të hapur nga ungjillorët në 1891.
E udhëhequr nga shqiptarë — jo si aspiratë, por si listë pagese
Bashkësia e kishës, Komuniteti i Besimit Tek Ura, ka pasur udhëheqje baritore shqiptare që nga 2 tetori 2019, kur Juri Arapi u vendos në detyrë si pastori i saj i parë shqiptar baptist — katër vjet para çdo kalimi agjencie. Juri mbetet pastori i saj edhe sot, në të dy qytetet, ku mbi 130 veta mblidhen tani për adhurim çdo javë në dhjetë qeliza. Ekipi udhëhiqet nga Matilda Dule; qeliza e kishës në Durrës nga Ilsa Basha dhe Matilda Dule krahas Jurit; klinikat e rehabilitimit nga Rexhina Uzuni; programi Recovery nga Roxhers Lufta; dhe Skills nga Eralda Kodheli në Tiranë dhe Ilsa Basha e Flavja Shqefani në Durrës.
Kjo udhëheqje është gjithashtu dukshëm femërore, dhe kjo nuk është e re: një grua, Flutura Joca, ishte në komitetin ekzekutiv të Bashkimit Baptist të Shqipërisë në ditën që ai u themelua në 1999. Gra shqiptare drejtojnë ekipin, financat, programet e rehabilitimit dhe të aftësive, punën sociale dhe kishën në Durrës. Në një rajon ku gratë nuk e kanë marrë gjithmonë mikrofonin, një brez udhëheqësish shqiptarë — shumë prej tyre gra të reja — po formohet dhe po lëshohet për të formësuar të ardhmen e kombit të vet. Në një vend që po humbet të rinjtë e tij më shpejt se çdo vend tjetër në Evropë, t’u japësh udhëheqësve në ngritje arsye dhe burime për të qëndruar, për të lulëzuar dhe për të udhëhequr nuk është një efekt anësor i punës. Është vetë puna.
“Në gjithçka që bëjmë, fokusi ynë është Fjala e Perëndisë dhe jeta e ndarë bashkë — sepse besojmë se Ungjilli nuk jetohet vetëm me fjalë, por edhe me prani dhe dashuri.”
— Juri Arapi, Pastor, Komuniteti i Besimit Tek UraBrezi i ardhshëm
Pas dhjetë vjetësh, fëmijë që u rritën në Tek Ura janë dishepullizuar dhe pagëzuar rrugës, dhe njerëz nga bashkësia kanë vazhduar të formohen në ISTL, Shkollën Ndërkombëtare të Teologjisë dhe Udhëheqjes në Tiranë.
Njëri prej tyre është tetëmbëdhjetë vjeç. I ati u zhduk kur ai ishte i vogël — me shumë gjasa, siç ndodh në Shqipëri, gjatë një përpjekjeje për të arritur në një vend tjetër. Ai u rrit duke punuar për të mbajtur nënën dhe motrën. Donte të bëhej mjek; rrethanat e mbyllën qetësisht atë rrugë. Pastaj erdhi te Juri për të pyetur për shkollën biblike në Tiranë. “Për mua,” thotë Juri, “kjo ishte një shenjë e qartë se Perëndia po përgatit një brez të ri për kishën tonë. Ai mund të mos bëhet mjek, por jam i bindur se do të bëhet peshkatar njerëzish.”
Vendoseni këtë përballë shifrave të emigrimit. Një djalë që humbi të atin në rrugën e largimit po zgjedh të formohet për shërbesë në shtëpi. Një punë e dërguar nga pastorët baptistë shqiptarë në 2016 tani po nxjerr pastorë shqiptarë të vetët. Kështu duket trashëgimia kur është plan.
Si duket një e martë
Rehab
Një fizioterapiste që jep një nga më shumë se njëqind orë klinike falas atë javë.
Recovery
Një adoleshent në një grup karriere që kërkon një rrugë drejt punësimit të ligjshëm — një nga 34 vetat që kaluan në punë në vitin e fundit të raportuar.
Skills
Një nënë refugjate që mëson shqip që shkolla e fëmijëve të saj të ketë kuptim; disa nga 120 fëmijët që vijnë çdo javë.
Kisha
Një nga dhjetë qelizat që mblidhen në të dy qytetet — mbi 130 veta që adhurojnë çdo javë.
Mbështetja për refugjatët dhe puna kundër trafikimit shtrihen në të pesë programet. Në vitin e mbuluar nga Raporti i Impaktit 2025–26 kjo arriti në më shumë se 26.763 orë pune komunitare dhe mbi 19.673 pjesëmarrje të regjistruara, me rreth 537 veta të arritur çdo javë në të dy qytetet.
Tek Ura mbushi dhjetë vjet në 2026. Mbledhja përvjetore — Tek Ura 10 — mblodhi mbi 100 mbështetës nga rreth tridhjetë kisha baptiste, me pjesën më të madhe të ekipit shqiptar të pranishëm.
Ku shkon kjo më tej
Eja dhe shih
Nëse jeni një kishë që pyet si duket sot partneriteti me Shqipërinë, nisni një bisedë: info@tekura.org. Nëse luteni, ekipi boton lajme lutjeje çdo muaj — kërkoni t’i bashkoheni listës. Dhe nëse njihni një pjesë të kësaj historie që ne e kemi lënë jashtë — sidomos nga ana shqiptare — do të na vinte vërtet mirë ta korrigjonim dhe ta zgjeronim këtë faqe.
Burimet
- Baptist Press, “Baptist Union of Albania organizes; first resolution addresses refugees,” 21 maj 1999
- Word&Way, “Small But Mighty: Albanian Baptists Defy the Odds” (2019)
- Federata Evropiane Baptiste, “Albania – Growing Christian Faith”
- VUSH (Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë) — për themelimin e 1892-shit dhe njohjen shtetërore të 2010-ës
- UNESCO, për Parashqevi Qiriazin dhe Kongresin e Manastirit
- Censi i Shqipërisë 2023 (INSTAT) — përkatësia ungjillore 0,40%; popullsia 2.402.113
- Lumturimi i 38 Dëshmorëve të Shqipërisë, Shkodër, 5 nëntor 2016
- Baptist Press, “Young Baptist ministry in Albania key aid channel to Kosovar refugees,” 27 maj 1999
- Regjistri i anëtarëve i Federatës Evropiane Baptiste, Evropa Qendrore dhe Jugore
- Instituti i Studimeve Shqiptare dhe Protestante, për Vëllazërinë Ungjillore pas Qiriazit
- Konstantinos Giakoumis, “The Policy of the Orthodox Patriarchate Toward the Use of Albanian in Church Services,” Albanohellenica 4 (2011)
- Shoqëria Biblike Shqiptare; Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë (Së bashku, 2022)
- Eurostat, ndryshimi i popullsisë 15–29 vjeç deri në janar 2025
- Raporti i Impaktit i Tek Urës 2025–26
- John Quanrud, A Sacred Task: Qiriazi and the Albanian National Awakening
Rishikuar së fundi: 28 korrik 2026.

