Detyra Nën Dritën e Llambës

Si arsimi po bëhet një rrugëdalje nga varfëria për fëmijët e Tiranës dhe Durrësit — dhe përse partneriteti juaj ka më shumë rëndësi nga sa e dini.

Aftësi & Arsim · Nga Daniel Dupree, Ilsa Basha dhe Eralda Kodheli

Shqip · Read this story in English

Fëmijë të ulur rreth një tavoline duke shkruar në fletore në klubin e detyrave të Tek Ura, dritat e ndezura sipër
Klubi i detyrave në Tiranë: një dhomë e ngrohtë, një llambë e ndezur, dhe dikush i durueshëm ulur pranë.

Ka një vajzë që vjen në klubin tonë të detyrave në Tiranë tri mbrëmje në javë. Për një kohë të gjatë, shkolla ishte për të një vend poshtërimi të heshtur. Mësuesja shkruante në tabelë; të gjithë të tjerët dukej se e kuptonin; ajo jo. Në shtëpi nuk kishte kush ta ndihmonte — asnjë i rritur në shtëpi nuk kishte pasur ndonjëherë mundësinë të mësonte të lexonte. Shpesh nuk kishte as energji elektrike për të punuar. Kështu, siç thotë ajo vetë, “ndonjëherë thjesht ndaloja së provuari.”

Pastaj dikush i tregoi për Klubin e Detyrave në Tek Ura.

“Eralda dhe Ilsa më ndihmuan hap pas hapi. Nuk qeshën kur gaboja. Tani, kur mbaroj detyrat, ndihem krenare. Dhe ndonjëherë jam edhe unë ajo që ndihmon dikë tjetër.”

— Një vajzë në klubin e detyrave në Tiranë

Dua t'ju tregoj çfarë qëndron pas kësaj dëshmie të vogël — sepse kur një fëmijë në një nga lagjet më të lëna pas dore në Shqipëri bëhet fëmija që ndihmon fëmijë të tjerë me detyrat, ka ndodhur diçka që statistikat e arsimit thonë se nuk duhet të jetë e mundur. Dhe ju, që luteni dhe jepni nga Mbretëria e Bashkuar, jeni pjesë e arsyes përse ndodhi.

Vendi pas titujve të gazetave

Së pari, më lejoni të sqaroj diçka. Nëse imazhi juaj për Shqipërinë është formuar nga titujt britanikë të viteve të fundit — varkat e vogëla, fluturimet e deportimit, gjithçka — do t'ju kërkoja me butësi ta lini mënjanë atë imazh. Shqipëria ku kam jetuar që nga viti 2014 është një vend me rritje të shpejtë, në rrugën drejt anëtërësimit në BE, plot njerëz të rinj, sipërmarrës dhe zemërngrohtë, me një diasporë që po bën mrekulli në biznes, mjekësi dhe akademi në të gjithë Evropën. Shqiptarët nuk janë një problem për t'u menaxhuar. Janë një popull për t'u dashur — dhe, nga përvoja ime, një popull që të dashuron mbrapsht bujarisht.

Por brenda këtij vendi ekziston një krizë e përqendruar, dhe ajo ka një histori që ia vlen të tregohet me ndershmëri. Nën komunizëm, Shqipëria arriti diçka vërtet të jashtëzakonshme — dhe diçka vërtet brutale, në të njëjtën kohë. Një vend që në vitin 1945 ishte kryesisht analfabet, arriti alfabetizim pothuajse universal brenda një brezi, përmes fushatash që shkonin krah për krah me mbylljen e çdo kishe dhe xhamie, kampeve të punës së detyruar, dhe një prej shoqërive më të mbyllura e të mbikëqyrura në Evropën e shekullit XX. Të dyja gjërat janë të vërteta, dhe asnjëra nuk anulon tjetrën. Pastaj erdhi viti 1991, dhe rënia pothuajse totale e ekonomisë dhe e shtetit të së drejtës — një rënie që u thellua në trazira të hapura civile në vitin 1997, kur autoriteti i shtetit u shemb pothuajse plotësisht në të gjithë vendin. Qindra mijëra familje migruan nga fshatrat drejt vendbanimeve të improvizuara rreth Tiranës dhe Durrësit. Shkollat nuk u rindërtuan kurrë për t'i arritur ata.

Dy komunitete u goditën më rëndë — romët, dhe komuniteti ballkano-egjiptian i Shqipërisë: popuj të dallueshëm, shpesh të grupuar gabimisht së bashku, që nën komunizëm kishin pasur vende pune dhe shkolle të caktuara nga shteti (shpesh me kosto reale të presionit për t'u asimiluar dhe për të lënë mënjanë gjuhën dhe identitetin e tyre) dhe u përjashtuan tërësisht nga ekonomia formale sapo ai sistem u shemb. Kur një komuniteti i mbyllen dyert e punës për një brez, rruga bëhet e vetmja ekonomi që mbetet.

Rezultatet sot janë alarmuese, dhe dua të jem i ndershëm se nga vijnë këto shifra. Banka Botërore vlerëson — duke u bazuar te vlerësimi ndërkombëtar PISA 2022, rezultatet shqiptare të të cilit kërkojnë njëfarë kujdesi për shkak të angazhimit të ulët të nxënësve me testin atë vit — se rreth gjysma e të rinjve shqiptarë pesëmbëdhjetëvjeçarë janë funksionalisht analfabetë. Veçmas, dhe mbi baza më të forta, agjencitë e BE-së dhe të OKB-së llogaritin se rreth një e katërta e të rinjve shqiptarë nuk janë as në arsim, as në punësim, as në trajnim, më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së. Agjencitë vendore për mbrojtjen e fëmijëve në Tiranë regjistruan 240 raste fëmijësh që lypnin ose punonin në rrugë vetëm gjatë vitit 2024.

Dhe për fëmijët me aftësi të kufizuara, ekziston një ligj që u premton një vend në shkollën e rregullt — një ligj i mirë, dhe në disa shkolla me më shumë burime po fillon të funksionojë siç është menduar. Por në shumicën e shkollave që përdorin familjet tona, mbështetja specifike që do ta bënte realitet atë premtim ende mungon: pa mësues ndihmës në klasë, pa logoped apo fizioterapist të gatshëm, pa plan individual mësimor të përshtatur për fëmijën. Në shumë familje që njohim, një nënë nuk mund të dalë fare nga shtëpia, sepse nevojat komplekse të fëmijës së saj duhet t'i plëtësojë dikush, dhe nuk ka njeri tjetër.

“Përjashtimi prodhon fëmijë jashtë shkolle; fëmijët jashtë shkolle prodhojnë brezin tjetër të përjashtimit. Diku, cikli duhet të thyhet.”

— diçka që e themi shpesh, në ditët e vështira, në Tek Ura

Aty ku cikli thyhet

Ja çfarë na kanë treguar dhjetë vjet në Tiranë dhe Durrës, dhe rastis të përputhet edhe me atë që kanë gjetur më gjerësisht ekonomistët e zhvillimit: ndërhyrja e vetme më e fuqishme kundër varfërisë së trashëguar është një fëmijë që mbahet në shkollë dhe në të mësuar. Çdo vit arsimimi rrit të ardhurat gjatë gjithë jetës. Dhe efekti vazhdon edhe një brez më tej, sepse një nënë që di të lexojë është thjesht shumë më mirë e pozicionuar për të mbështetur mësimin e fëmijëve të saj sesa një që nuk pati kurrë mundësinë të mësonte vetë. Arsimi nuk ndryshon vetëm një jetë; ndryshon çdo jetë që vjen pas saj.

Por fëmijët që kanë më shumë për të fituar janë pikërisht ata që sistemi i humbet i pari. Dhe pikërisht aty ka kaluar Tek Ura dhjetë vjet.

Çdo javë, rreth 120 fëmijë kalojnë nëpër punën tonë të Aftësive dhe Arsimit në Tiranë dhe Durrës. Gjashtëdhjetë e tre vijnë në klubet e detyrave tri herë në javë — një dhomë e ngrohtë, internet, printim, dhe dikush i durueshëm ulur pranë tyre: gjithçka që një shtëpi e klasës së mesme ofron pa e menduar fare, e mbledhur në një vend të vetëm për fëmijë shtëpitë e të cilëve nuk mund të ofrojnë asgjë prej saj. Pesëdhjetë e shtatë mësojnë anglisht në grupet tona Horizons. Tridhjetë e dy familje refugjatësh po mësojnë shqip që fëmijët e tyre të mund të hyjnë në shkollë dhe prindërit e tyre të gjejnë punë. Dymbëdhjetë fëmijë me nevoja shtesë marrin mbështetje individuale çdo javë — aktivitete shqisore, ndihmë me komunikimin, një plan individual mësimor i ndërtuar rreth asaj që i duhet pikërisht atij fëmije, jo një program i përgjithshëm — i përshtatur saktësisht me atë që shkolla e tyre ende nuk mund ta ofrojë.

Dhe pas gjithë kësaj qëndron puna më e heshtur dhe më e rëndësishme që bëjmë: dhjetë vjet partneritet me shkollat publike vendore — duke negociuar me drejtorët, duke shoqëruar familjet gjatë regjistrimit, duke ofruar përmes klinikave tona terëpinë që e bën të mundur klasën për një fëmijë me aftësi të kufizuara, dhe thjesht duke refuzuar të pranojmë që ndonjë fëmijë nuk ka vend në një klasë.

Disa nga këta fëmijë përndryshe do të ishin duke lypur. Kjo nuk është një shprehje figurative. Është një dosje rasti.

“[Një djalë dhjetëvjeçar] nuk kishte shkuar fare në shkollë më parë. Në fillim mori seanca mësimi individuale, në mënyrë që të mos mbetej pas në njohuritë thelbësore, pavarësisht se nuk kishte qenë kurrë në një klasë. Ishte jashtëzakonisht prekëse emocionalisht të shihje gëzimin në sytë e tij kur u kthye nga dita e tij e parë e shkolles — më në fund i aftë të bashkohej me shokët e tij në udhëtimin e tyre arsimor. Arsimi i hap dyert për të ndjekur ëndrrat e tij, një mundësi që do të ishte e paarritshme nëse nuk do të kishte shkuar në shkollë.”

Eralda Kodheli — Koordinatore e Aftësive, Tiranë

Gjysma e dytë e urës

Fëmijë duke ndjekur me fletore pune ndërsa një mësuese e Tek Ura mëson në klubin e detyrave në Tiranë
E njëjta dhomë është shpesh vendi ku fillon udhëtimi drejt një të ardhmeje të ndryshme — një aftësi, një punë, një familje në një kohë.

Arsimi që ndalet te porta e shkolles nuk e nxjerr një familje nga varfëria — sidomos aty ku diskriminimi bën që një certifikatë të vlejë më pak në disa duar sesa në të tjera. Prandaj ecim me njerëzit deri në fund të urës. Gjatë dekadës së fundit, krah për krah me ekipin tonë të Rimëkëmbjes, kjo ka nënkuptuar:

Një djalë i ri që sot drejton biznesin e vet të lëvizshëm të parukerisë. Një baba që mban një punë të qëndrueshme në një kafene — me dikë pranë tij për rrugën e gjatë, sepse mbajtja e një pune është më e vështirë sesa gjetja e saj, kur askush në familjen tënde nuk ka pasur ndonjëherë punë formale. Një burrë me biznesin e vet të marangozisë. Të rinj që mbarojnë shkollën dhe ndjekin universitetin — përfshirë vajza të reja tarifat e të cilave i mbuluam, që të mos detyroheshin të braktisnin studimet. Dy gra, dikur në rrezik të merrnin rrugën e parregullt drejt Britanisë, tani po trajnohen si parukiere profesioniste. Një djalë i ri që ndjek një thirrje në shërbesë si pastor. Njerëz drejt kurseve, drejt punëve në fabrikë, drejt mikrokredive dhe jetesave të vogëla. Një burrë që u kthye në Shqipëri pas një kërkese të dështuar për azil, duke rindërtuar një jetë në një vend ku — sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin në vitin 2025 — gati gjysma e të kthyerve nuk arrijnë të gjejnë punë. Një adoleshent që u largua nga tërheqja e bandave. Dhe përgjatë gjithë kësaj, gra që marrin role udhëheqëse — përfshirë gratë e jashtëzakonshme shqiptare, Eralda dhe Ilsa, që drejtojnë të gjithë këtë program.

Tridhjetë e katër persona kaluan në punësim të ligjshëm dhe dinjitoz përmes Tek Ura vetëm gjatë vitit të fundit. Secili prej tyre është një familje ku historia ndryshon — ku fëmijët riten me një prind që punon, një dhomë të ndriçuar, dhe bindjen se shkolla është vendi ku takojnë. Cikli që ka rrjedhur teposhtë për breza, në ato familje fillon të rrjedhë nga ana tjetër.

“Një fëmijë i ndihmuar me detyrat nën dritën e llambës bëhet një nënë, fëmijët e së cilës nuk do të lypin kurrë.”

— një shpresë që mbajmë fort, duke parë familjet të kalojnë këtë urë

Pse po jua tregoj këtë

Sepse ju e ndërtuat këtë. Vërtet. Kur them se ju nuk jeni dhurues por partnerë, e them në kuptimin më të drejtpërdrejtë: pa ju, dhoma është e errët dhe klubi nuk mblidhet.

Dhe sepse historia është më e madhe se ne. Ajo çfarë dëshmojnë dhjetë vjet në Tiranë dhe Durrës është se fëmijët që të gjithë i kishin shkruar si të humbur — fëmijët e vendbanimeve, fëmijët me aftësi të kufizuara komplekse, fëmijët familjet e të cilëve kanë varur mbijetesën nga lypja — lulëzojnë kur dikush i heq pengesat dhe qëndron. Jo herë pas here. Vazhdimisht. Ata mbarojnë shkollën. Ndërtojnë biznese. Bëhen udhëheqës. Pyetja nuk ka qenë kurrë nëse mund ta bënin. Pyetja ka qenë nëse dikush do të qëndronte aq gjatë sa ta zbulonte.

Fëmijë duke shkruar së bashku në fletore në një tavolinë të klubit të detyrave Tek Ura
Nga rruga te klasa — dhe shpesh deri te Tryeza: Komuniteti i Besimit, familja jonë kishtare në të dy qytetet.

Kështu duket ungjilli në një klub detyrash: përkëtësia para besimit, një tryezë ku çdo fëmijë ka një vend, dhe bindja e durueshëme se secili prej tyre është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit dhe krijuar për të lulëzuar. Shumë nga familjet që erdhën fillimisht për ndihmë me detyrat tani janë pjesë e Komunitetit të Besimit, familjes sonë kishtare në të dy qytetet. Ura nga rruga te klasa, sicë del, shpesh vazhdon deri te Tryeza.

“Është mrekulli të drejtosh këto grupe me gratë në Durrës dhe të shohësh rritje të vërtetë — më shumë njerëz që vijnë, dhe lidhjet mes tyre që forcohen çdo vit. Shpresa dhe lutja ime është gjithmonë që fjala e Zotit të depërtojë thellë në zemrat e tyre, dhe që ta njohin Jezusin me mendje, shpirt dhe zemer.”

Ilsa Basha — Koordinatore e Aftësive, Durrës

Si mund të përgjigjeni

Klubet e detyrave, avokimi pranë shkollave, orët e terëpisë, tarifat universitare, trajnimi i parukerisë — të gjitha këto kushtojnë rreth £350 për fëmijë në vit, dhe pothuajse gjithçka mbahet nga lutjet dhe dhuratat e anëtarëve të thjeshtë të kishave baptiste në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Rreth tridhjetë kisha qëndrojnë tani me ne.

Lutuni — për Eraldën dhe Ilsën dhe çdo fëmijë nën kujdesin e tyre; për drejtorët e shkollave me të cilët punojmë; për familjet që shoqërojnë fëmijët nëpër mbrëmjet e dimrit drejt klubit. Lutuni që cikli të vazhdojë të thyhet.
Jepni — dhurimi i rregullt mujor është ai që mban dritat ndezur dhe dyert hapur. Rreth £30 në muaj mbulon një vit të plotë të një fëmije në program. Nëse kisha juaj do të donte të sponsorizonte punën e një klubi detyrash, na shkruani.
Ejani — bashkohuni me Immersive, javën tonë krah ekipit shqiptar, ose vraponi Tirana 10K me ne në tetor 2026. Ejani dhe uluni vetë në klubin e detyrave. Ju premtoj se do t'ju ndryshojë mënyrën si i lexoni të gjitha statistikat në këtë artikull.

Faleminderit shumë për dhjetë vjet ndërtimi të kësaj ure me ne. Fëmijët që po e kalojnë tani, do ta kalojnë gjithë jetën e tyre në anën tjetër.
Lavdi Zotit. E mira ende nuk ka ardhur.

Për t'u përdorur në asamble dhe shërbesa për të gjitha moshat

Ky artikull funksionon mirë i lexuar me zë të lartë ose i përshtatur për një moment misioni, shërbesë për të gjitha moshat, ose asamblë shkolle mbi drejtësinë dhe qasjen në arsim. Tri pyetje për të hapur diskutimin, për çdo moshë:

  1. Vajza në këtë histori thotë “të gjithë të tjerët dukej se e kuptonin… por unë jo.” A jeni ndjerë ndonjëherë kështu — në shkollë, në punë, kudo? Çfarë ju ndihmoi?
  2. Ajo përfundon duke thënë “ndonjëherë jam edhe unë ajo që ndihmon dikë tjetër.” Pse mendoni se t'i mësosh dikujt tjetër atë që sapo ke mësuar mund të të bëjë ta kuptosh edhe vetë më mirë?
  3. Si do të dukej nëse kisha jonë do të ishte një “klub detyrash” për dikë pranë nesh — jo domosdoshmërisht për shkollën, por për të qenë të pranishëm, të durueshëm, dhe për të mos qeshur kur dikush gabon?

Daniel Dupree është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Tek Ura, Shqipëri, dhe Bashkë-udhëheqës i Vale Community Church, Marston Moretaine, duke shërbyer aktualisht në një rol hibrid mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Dan dhe Annie e nisën shërbesën e tyre ndërkulturore në 2006/07, fillimisht në Francë e më pas në Tunizi, dhe janë bazuar në Shqipëri që nga viti 2014. Fëmija në këtë artikull nuk përmendet me emër, dhe dëshmia e saj ndahet me dijeninë dhe pëlqimin e plotë të familjes; stafi i Tek Ura përmendet me emër, dhe citohet, me pëlqimin e tyre si anëtarë të ekipit. Reflektimi i Eraldes Kodheli është marrë nga rrëfimi i saj vetjak në Raportin Vjetor të Ndikimit të Tek Ura 2023, me emërin e fëmijës të zëvendësuar me një përshkrim; reflektimi i Ilsa Bashës është lehtësisht i shkurtuar nga raporti i saj i shkruar për ekipin. dan@tekura.org · tekura.org

Next
Next

Homework by Lamplight